Nëpër dogana ka mungesë inspektorësh

Të tjera detaje shqetësuese për sigurinë ushqimore dalin nga një audit që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Në raportin final të siguruar nga Televizioni Klan thuhet se AKU, nuk ka asnjë dokument kontrolli për inspektimin në rastet e eksporteve dhe tranzitimit të produkteve nga disa pika doganore, si Qafë Thana, Kapshticë, apo Hani i Hotit.

“I vetmi dokument që lëshohet, në raste kur subjektet paraqiten pranë inspektorëve të AKU, përpara se të kryejnë veprimet doganore të eksportit, është fatura për arkëtim, faturë e cila lëshohet për efekt të pagesës në Bankë, të tarifës. Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion rezulton se formatet e caktuara për regjimin e eksportit dhe tranzitimit janë përgatitur dhe janë paraqitur për miratim në Ministrinë e linjës, por ende nuk ka një miratim për ketë. Mungesa e këtij dokumenti i jep Doganës një arsye që të vijojë me procedurat, sepse duket qartësisht se ndalimi, fillimisht tek inspektorët e AKU është thjesht për çështje tarife dhe jo kontrolli”.

Raporti thotë më tej se në disa pika doganore ka mungesë të inspektorëve të AKU.

“Referuar edhe strukturës dhe organikës së AKU, pranë Pikave të Kalimit Kufitar, rezulton se ka vakanca të theksuara, sepse konstatohet se ka nga 1 inspektor për sektor, i cili është i detyruar të jetë në detyrë ç’do ditë dhe me orare mbi 12 orë. Kjo situatë kryesisht në PIK/Hani Hotit, dhe së fundi edhe në PIK/Qafë Thanë dhe PIK/Kapshticë gjë e cila bëhet shkak që prezenca e inspektorëve të AKU, nuk është gjatë gjithë kohës që kemi veprime doganore për eksportet, të cilat mund të kryhen, kryesisht në orët e para të mëngjesit, apo orët e vona të natës”.

Një muaj më parë, Televizioni Klan bëri publik skandalin e futjes së pesticideve të dëmshme nga Kina, ndonëse kjo është e ndaluar, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Europën. Sasi të mëdha pesticidesh janë futur në vendin tonë, duke cënuar rëndë sigurinë ushqimore, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Tv Klan