Real Madridi ka marrë një lumë kritikash në Spanjë pas përpjekjes për të përfituar 23 milionë euro shtesë nga të ardhurat e të drejtave televizive të La Liga-s. Vitin e kaluar “galaktikët” morën 157 milionë euro nga të drejtat televizive, 3.5 herë më shumë se sa Majorka, klubi i paguar me shifrën më të ulët.

Për shumë tifozë në vend, ashtu edhe për shumë media e analistë, madrilenët po tregohen “egoistë dhe makutë” .

“Los Blancos” dhe Barcelona janë dy klubet që përfitojnë më shumë në Spanjë, duke marrë në total 20% të të gjitha të ardhurave për klubet e La Liga-s nga të drejtat televizive.

Ata e çuan çështjen në gjykatë, por në përfundim të procesit gjykatësi vendosi të refuzojë padinë e bërë.

“Galaktikët” kanë probleme të mëdha financiare si pasojë e shpenzimeve të larta. Për më tepër që pandemia dhe largimi i tifozëve ka sjellë edhe më shumë borxhe. Madrilenët gjithashtu u eliminuan në Ligën e Kampioneve edhe nga Chelsea.

Tentativa e tyre për të krijuar Superligën Evropiane, ku do të përfitonin rreth 350 milionë euro dështoi e tani drejtuesit e ekipit e gjejnë veten me mbi 800 milionë euro borxhe. Presidenti i Realit Florentino Perez ka pasur përplasje së fundmi me presidentin e La Liga-s, Havier Tebas, pasi ka kërkuar që t’i shesë të drejtat televizive në mënyrë të pavarur.

Në sezonet e fundit, klube si Atletico Madrid dhe Sevija kanë përfituar më shumë financiarisht, e kjo ka mërzitur Realin e Barçën.

Klan News