Klubet angleze vendosin të aktivizojnë lojtarët e dënuar nga institucioni numër 1 i futbollit botëror

Klubet e Premier League kanë vendosur që të kundërshtojnë FIFA-n dhe të aktivizojnë futbollistët e tyre nga Amerika e Jugut dhe ajo Qendrore, të dënuar nga institucioni numër 1 i futbollit botëror për të mos luajtur këtë fundjavë.

Drejtuesit e FIFA-s u shkruan tetë klubeve të Premier Ligës, ku i urdhëruan që të respektojnë “kufizimin pesë ditor” për të gjithë futbollistët që nuk u paraqitën me ekipet e tyre kombëtare për takimet kualifikuese të botërorit Katar 2022.

Pas tri ditësh bisedimesh intensive mes shefave të Premier Ligës dhe FIFA-s, nuk u arrit dot një akord, e nisur nga kjo klubet vendosën që ta zgjidhnin vetë çështjen.

Drejtuesit e 20 klubeve mbajtën një telekonferencë të enjten, ku u informuan për mungesën e zgjidhjes.

Më pas, nga klubet u ra dakord që asnjë prej tyre nuk do të bënte asnjë ankesë nëse ekipi rival do të aktivizonte lojtarët e dënuar në sfidat e fundjavës.

Nisur nga vendimi kolektiv, shefat e Premier Ligës nuk do të nisin asnjë hetim. Por kjo do të bëjë që intitucioni numër 1 i futbollit botëror të marrë masa, pasi urdhri i saj nuk u zbatua.

Ndërsa federata meksikane ka vendosur që të tërheqë ankesën, ajo braziliane i bën presion FIFA-s që të marrë masa për shkeljen e bërë nga klubet angleze.

Klan News