Analisti i njohur Preç Zogaj ka folur për  formimin e koalicionit opozitar, teksa është shprehur se LSI dhe PD, më mirë të paraqiten të bashkuara sesa të ndara.

I ftuar në studion e Klan News, Zogaj ka theksuar se kjo është një garë për pushtetin dhe fitorja e opozitës në Shqipëri është pikë së pari fitore e rëndësishme e partisë së madhe.

Më tej ai ka shprehur mendimin e tij për hyrjen në parlament të personave me të shkuar kriminale, ku ka thënë se nuk mendon që në zgjedhjet e ardhshme do të përsëriten fenomene të tilla.

Pyetje: Presidenti e ka konsideruar 25 prillin një referendum, ndërkohë që fyerjet me kryeministrin kanë kaluar deri në nivel personal. Kush i trembet kujt?

“Kjo është garë për pushtetin dhe natyrisht që në këtë segment që po evokoni ju në këtë bisedë, fitorja e opozitës në Shqipëri është pikë së pari fitore e rëndësishme e partisë së madhe.

Nëse partia e madhe e opozitës që është alternativa e qeverisë nuk ka një rritje të ndjeshme, atëherë lihet në dyshim fitorja. Unë jam i fokusuar në këto temat e PD-së dhe garës për programet. Kurse kjo gara për batutat është një gjë që e shoqëron.

Pyetje: Ndërkohë një problem tjetër është hyrja në parlament e personave me të shkuar kriminale. Ka pasur thirrje nga ambasadorja amerikane Yuri Kim që shpesh herë i bën thirrje krerëve të partive politike për lista të pastra. A mendoni se ky fenomen do të trashëgohet edhe në parlamentin e ardhshëm?

Nuk besoj se në zgjedhjet e ardhshme do të përsëriten fenomene që kemi parë në dy zgjedhjet e kaluara sepse ka një ligj tani, ka disa institucione që ndjekin zbatimin e ligjit dhe dekriminalizimit kam parasysh. Sikurse ka edhe disa precedentë që na tregojnë se kush ka fshehur të kaluarën e vetë është përballur me pasoja dhe është ndëshkuar.

Kemi disa raste ndëshkimesh. Mund ta fshehësh në kandidim por nuk mund ta fshehësh nesër pasnesër në parlament dhe mendoj se të gjithë kanë nxjerrë mësime dhe asnjë nuk ka hesap të përballet në parlament me gënjeshtrën.   

Klan News