Rriten ndëshkimet për shpejtësinë, përdorimin e telefonit, parakalimet e gabuara dhe drejtimi nën efektin e alkoolit

Qeveria i ka propozuar parlamentit ndryshimet e reja të Kodit Rrugor të cilat konsistojnë në ashpërsimin e gjobave për drejtuesit e mjeteve. Shoferët problematikë që bëhen shkak për aksidente do penalizohen krahas gjobës dhe me bllokim patente e heqje pikësh nga leja e drejtimit.

Shkelja më e rëndë konsiderohet tejkalimi i shpejtësisë, ku gjobat janë dyfishuar. Masa administrative minimale nga 500 lekë që ishte do të jetë 1 mijë lekë, ndërsa ajo maksimale, nga 10 mijë lekë bëhet në 20 mijë lekë.

Për të matur shpejtësinë, pikat e kontrolleve duhet të jenë qartësisht të dukshme nga drejtuesit e mjeteve dhe të paralajmërohen nëpërmjet tabelave vertikale dhe horizontale.

Një tjetër shkelje konsiderohet drejtimi i makinës në gjendje të dehur, ku gjoba do të jetë nga 5 deri në 15 mijë lekë. Më herët ishte 2500 deri në 10 mijë lekë.

Shkelje e rëndë konsiderohet dhe përdorimi i telefoni, ku shoferët do të ndëshkohen nga 5 deri në 15 mijë lekë, ndërsa më herët ishte 500 deri në 1500 lekë. Në rast përsëritje pezullohet patenta për 3 muaj.

Shkak për aksidentet është dhe parakalimi i gabuar, ku drejtuesit e mjeteve do të ndëshkohen me 5 deri në 10 mijë lekë, nga 5 deri në 2 mijë lekë që ishte më parë.

Shoferi ka përgjegjësi dhe për vendosjen e rripit të sigurimit tek pasagjerët, ku në rast shkeljeje ai ndëshkohet deri në 3 mijë lekë.

TEJKALIMI I SHPEJTËSISË

Ishte: 500-10 mijë lekë

Do të bëhet: 1 mijë-20 mijë lekë

DREJTIMI NË GJENDJE TË DEHUR

Ishte: 2500-10 mijë lekë

Do të bëhet: 5000-15 mijë lekë

PËRDORIMI I TELEFONIT

Ishte: 500-1500 lekë

Do të bëhet: 5000-15 mijë lekë

PARAKALIMI I GABUAR

Ishte: 500-2 mijë lekë

Do të bëhet: 5000-10 mijë lekë

Klan News