Sjellja skandaloze e përmbarueses ndaj gazetarit, gjykata i jep të drejtë emisionit Stop

Pak ditë më parë emisioni “Stop” trajtoi një problem pronësie mes dy vëllezërve në Lushnje. Pëllumb dhe Seit Zele u konflikuan për pronën e trashëguar nga i ati dhe situata u rëndua kur përmbaruesja shtetërore Luiza Gjergjova bëri ekzekutimin e ndarjes së pasurisë pa praninë e ekspertes, në shkelje të hapur të ligjit.

Gazetari i emisionit u përball me përmbaruesen Gjergjova se përse ekzekutoi vendimin pa ekspert, por ajo shtyu dhe ofendoi gazetarin. Pas këtij incidenti, “Stop” iu drejtua me një shkresë zyrtare Përmbarimit Kombëtar Shtetëror dhe drejtuesit Piro Lutaj, i cili e mori në mbrojtje veprimin e ulët të përmbarueses.

Luiza Gjergjova iu drejtua Gjykatës së Lushnjes duke akuzuar redaksinë e emisionit për “shpifje”. Emisioni “Stop” solli me zë dhe figurë seancën gjyqësore, ku gjyqtarja i dha të drejtë emisionit.    

Gjyqtarja: Është thirrur dhe paraqitur e dëmtuara-akuzuese, Luiza Gjergjova.

Luiza Gjergjova: Po!

Gjyqtarja: Pala e paditur redaksia e emisionit “Stop”! Është paraqitur e dëmtuara-akuzuese, Luiza Gjergjova. Ju lutem një mjet identifikimi?

Luiza Gjergjova: E nderuar! Mua më ka skaduar karta. Kam aplikuar për kartë identiteti dhe nuk e kam marrë akoma.

Gjyqtarja: Po mirë, po të paktën mandatin që keni aplikuar, e keni?

Luiza Gjergjova: Nuk e kam. S’është në dorën tonë vonesa…

Gjyqtarja: Mirë, por kur mbaron afati sillet mandati që ke aplikuar për të re. Sepse në çdo institucion, sidomos në gjyktatë, individët

Luiza Gjergjova: Po unë nuk jam person i panjohur. Unë jam person i njohur! S’është, se unë jam një qytetar…

Gjyqtarja: Po ku je e njohur ti?!

Luiza Gjergjova: Jam e njohur se jam kryetare zyre…

Gjyqtarja: Të cilës zyre?

Luiza Gjergjova: Të zyrës së përmbarimit.

Gjyqtarja: Të gjitha palët janë të barabarta para ligjit. Referuar nenit 338 KPP, gykata sot duhet të zhvillonte seancën e pajtimit. E dëmtuara-akuzuese, Luiza Gjergjova, nuk legjitimohet sepse ajo nuk ka mjet identifikimi. Jemi në kushtet që duhet ta shtyjmë seancën gjyqsore!

Avokati i emisionit “Stop”: Jo, e nderuar! Nuk jemi në kushtet që duhet ta shtyjmë! Bazuar në nenin 59 e nderuar, kërkesa është e pavlefshme për arsye sepse redaksia e emisionit “Stop” nuk është as person juridik, as fizik. Rrjedhimisht kërkesa është bërë gabim. Për këtë arsye, e nderuar, në nenin 60 pika 1, gërma B, thuhet të jenë gjeneralitetet e personave, të cilët akuzohen. Redaksia e emisionit “Stop” nuk ekziston si person. Për këtë arsye ne kërkojmë, meqë kërkesa është e pavlefshme, pala ka humbur interes, të pushohet. Kemi sjellë edhe faturën tatimore e nderuar, për shpenzimet e këtij gjykimi. Po ja u ve në dispozicion një kopje, si palë e akuzuar, që është redaksia e emisionit “Stop”.

Gjyqtarja: Mirë atëherë, gjykata tërhiqet në Dhomë Këshillimi.

Pas 15 minutash gjyqtarja vjen të komunikojë vendimin e marrë në dhomën e këshillimit.

Gjyqtarja: Nga Dhoma e Këshillimit gjykata vendosi: Kthimin e akteve të akuzueses Luiza Gjergjova, bazuar në nenin 60 KPP. Mbi këtë vendim, mund të apelohet në Gjykatën e Apelit Vlorë. U shpall sot në Lushnjë në 03.02.2020.

Gjithashtu, këtë të enjte Gjykata e Lushnjes vendosi pavlefshmërinë e veprimeve përmbarimore të Luiza Gjergjovës në lidhje me ekzekutimin e ndarjes së pasurisë së vëllezërve Zele.

Emisioni “Stop” iu drejtua me një shkresë zyrtare Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj me një afat kohor për përgjigje, duke u bazuar në Kushtetutë.

“Nuk e kam ndjekur. Do ta verifikojmë dhe do t’ju them. Ju e dini që kur kemi patur shkelje dhe unë kam evidentuar shkelje masat kanë qenë drastike. Kështu që në rastin konkret, nëse do të ketë shkelje patjetër që do të merren masa”, u shpreh Ministrja Gjonaj e pyetur nga gazetari për çështjen në fjalë.

Drejtuesi i emisionit “Stop” i bëri thirrje për një reagim të menjëhershëm të Ministres së Drejtësisë për masat që do të ndërmerren kundrejt përmbarueses Luiza Gjergjova dhe kreut të Përmbarimit Kombëtar Shtetëror, Piro Lutaj.

“Kjo nuk është as presion, as për të qenë i fortë e as për të qenë tagër i OFL-së. Nga sot zonja Ministre keni hyrë në afatin e fundit për të marrë një përgjigje. Kam përshtypjen se përgjigjia juaj do të jetë që të përjashtohet Luiza Gjergjova nga strukturat e përmbarimit, pasi edhe gjykata na dha të drejtë se e ka kapur në shkelje. Edhe zoti Lutaj të zbresë 4 karrige më poshtë, të shkojë prap deputet në Mallakastër. Dua reagimin tuaj patjetër, sepse do ta marr në çfarëdo lloj forme, që kur del nga dera e shtëpisë e deri sa shkon në zyrë. Është e drejta e informimit, je një punonjëse e institucionit publik dhe paguhesh me taksat tona, të atij qytetarit që qante se pse ajo zonja Gjergjova donte ta ekzekutonte vendimin si t’i donte kokrra e qejfit”, e përmbylli Kodra./tvklan.al