Koeman shpërblen Manajn


Koeman shpërblen Manajn

22:40 23/07/2021

Tri golat e shënuar në miqësore ia kanë ndryshuar mendimin trajnerit të Barcelonës Ronald Koeman për sulmuesin kuqezi Rei Manaj. Futbollisti 24-vjeçar u thërrit nga trajneri holandez i blaugranave për t’u sërvitur me ekipin e parë. Bashkë me të ishin edhe tri futbollistë të tjerë të Barcelonës B.

Futbollistët kryen ushtrime me top, e gjithashtu fizike. Manaj u dallua në miqësoren ndaj Gimnastik, duke realizuar trigolësh dhe duke marrë shumë vlerësime nga mediat spanjolle, e po ashtu edhe nga tifozët.

Grumbullimi është një vlerësim i Koemanit për lojtarin kuqezi dhe një mundësi për të. Drejtuesit katalanas ishin në diskutime për ta shitur shqiptarin, por paraqitja e fundit i ka bërë të ndalen për momentin.

Ndërkohë që interesimi për Manajn po rritet. Pas Sasuolos, edhe Venecia që gjithashtu luan sezonin e ardhshëm në Serinë A është futur në garë për ta marrë.

Klube të tjera që duan shërbimet e shqiptarit janë ekipi që luan në La Liga Kadiz dhe ai portugez Familikao. Por momentalisht, Barça duket se do të presë për të marrë një vendim përfundimtar për Manajn.

Klan News






Të ngjashme