“Gjithçka është mbajtur shënim”

Presidenti Ilir Meta, në Ditën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen tek shembja e Teatrit Kombëtar. Në një video të publikuar në mediat sociale, Meta shkruan se shembja e Teatrit Kombëtaer është një akt taleban dhe shton se “shkatërrimi i shumë vlerave unikale arkeologjike në Durrës dhe dëmtimi i disa monumenteve në mbarë vendin janë dëshmitë ulëritëse më të freskëta se si arroganca”.

Sipas Presidentit “korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e një pushteti mund të sjellë dëme të pariparueshme për trashëgiminë tonë kombëtare e kulturore, pjesë e trashëgimisë europiane”.

Më tej Meta këto veprime i quan krime të rënda kushtetuese, ligjore dhe morale dhe shton se “këto akte barbarie, për më tepër të kryera nga institucionet shtetërore, janë sulme të drejtpërdrejta ndaj identitetit tonë kombëtar”.

Ai shkruan se sot në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore “i garantoj të gjithë shqiptarët se gjithçka është mbajtur shënim dhe askush nuk ka për t’i shpëtuar Drejtësisë!”. Më tej kujton dhe fjalët e Paolo Vittit dhe një deklaratë të Europa Nostra për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Duke kujtuar Profesor Paolo Vittin i cili me të drejtë thotë se: “Europa nuk është vetëm euro, por edhe kulturë, solidaritet, humanizëm dhe identitet”, risjell edhe njëherë në vëmendje qëndrimin e “Europa Nostra” në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar: “Le të jetë kjo ngjarje e mjerueshme ajo që do të shënojë fillimin e një zgjimi të vërtetë të shoqërisë civile në Shqipëri të udhëhequr nga artistë dhe intelektualë“”, shton ai.

Kreu i shtetit e mbyll postimin e tij me fjalët “barbaria dhe talebanizmi nuk kanë vend në shoqërinë tonë! KOHA PËR DREJTËSI!”./tvklan.al