1 në 4 amerikanë dhe pothuajse gjysma e të lindurve pas vitit 2000 kanë fshirë llogaritë e tyre në Facebook dhe kanë hequr aplikacionin nga telefoni i tyre pasi rrjeti më i madh në botë u akuzua për censurë dhe u godit nga skandale të privatësisë këtë vit.

Studimi i fundit i “Pew” thotë se shumica e amerikanëve po e përdorin gjithnjë e më pak Facebook-un. Studiuesit vëzhguan më shumë se 4 500 të rritur amerikanë këtë verë dhe arritën në përfundimin se 74% e përdoruesve po përpiqen të reduktojnë varësinë e tyre ndaj medias sociale.

54 për qind e tyre kanë ndryshuar parametrat e sigurisë, 42 për qind janë larguar nga Facebook për shumë javë apo edhe më shumë, ndërsa 26 për qind e tyre e kanë fshirë aplikacionin e Facebook nga telefoni i tyre.

Numrat janë më domethënës sa i përket moshave të reja, pasi pothuajse gjysma (44 %) e përdoruesve nga 18-29 vjeç e kanë fshirë aplikacionin.

Rezultatet e studimit nuk janë edhe aq katastrofike për Facebook, pasi Instagram dhe WhatsApp, të cilat janë në pronësi të gjigantit të Silicon Valley, mbeten popullorë. /tvklan.al