Deklaratë e ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Portugalisë e Sllovenisë

Pas samitit të udhëheqësve të BE-së që dështuan të marrin një vendim për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Portugalisë dhe kryesueses së re të Këshillit të BE-së, Sllovenisë, u shprehën tejet të shqetësuar për ngecjen e procesit.

“Të dy vendet kanë përmbushur një sërë reformash dhe Maqedonia e Veriut ka investuar një kapital politik thelbësor për Zgjerimin, duke ndryshuar madje dhe emrin e vet,” thotë deklarata e përbashkët e HeikoMaas, AugustoSantos Silva dhe AnžeLogar.

Ka ardhur koha finale që BE-ja të mbajë premtimet e saj. Presidenca Gjermane dhe Portugeze kanë punuar fort për gjetjen e një kompromisi dhe Presidenca Sllovene do t’i vazhdojë këto përpjekje dhe do çojë përpara punën e bërë deri më sot.

Këtë herë negociatat ngecën për shkak të mosmarrëveshjes për çështjet historike mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që kërkon garanci nga Shkupi se do të heqë nga tekstet historinë e shtrembëruar.

“Ne besojmë se çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë kurrsesi progresin në një hap të një rëndësie kaq themelore për të dy palët: si për BE-në, ashtu dhe për Ballkanin Perëndimor”, thekson deklarata.

Të tre ministrat zotohen të punojnë fort dhe bënë thirrje për tejkalimin e shpejtë të bllokadës së tanishme, e cila sipas tyre, po minon besueshmërinë e BE-së dhe bie ndesh me interesin strategjik për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Njëkohësisht, ministrat i kërkuan Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të vijojnë reformat dhe të vazhdojnë përpjekjet e tyre për forcimin e demokracisë, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Klan News