Rivalët e Shqipërisë në Euro2024 “blindojnë” trajnerin Luis de La Fuente

Optimizmi në kampionatin Europian është i madh te Spanja. Iberikët shihen si favorit për të ngritur lart trofeun në Gjermani. Besimi është i lartë në radhët e saj dhe këtë e tregon edhe lëvizja e fundit e federatës spanjolle.

Trajneri, Luis de La Fuente ka rinovuar kontratë deri në verën e vitit 2026, duke treguar kështu edhe besimin që Spanja ka tek 62-vjeçari. Federata Spanjolle e Futbollit ka konfirmuar se trajneri de la Fuente ka zgjatur kontratën që do ta mbajë atë me “La Roja” deri në Kupën e Botës që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Ai mori drejtimin e kombëtares së madhe pas eksperiencës së mirë me ekipin U-23, teksa zëvendësoi në këtë post, Luis Enrique. De La Fuente është në detyrë që nga 8 Dhjetori 2022. Spanja, fituese e Ligës së Kombeve në edicionin e shkuar, është në grupin e Kampionatit Evropian me Italinë, Shqipërinë dhe Kroacinë.

Përballja mes Shqipërisë dhe Spanjë është e treta dhe e fundit për dy kombëtaret në grup, e përcaktuar për tu zhvilluar më 24 Qershor në stadiumin e Dusseldorf. Kampionati Europian në tokën gjermane do të transmetohet falas dhe ekskluzivisht në televizionin kombëtar “Klan” nga 14 Qershori deri më 14 Korrik.

Klan News