Deputeti i parë i opozitës që ka dalë publikisht kundër vendimit për të djegur mandatet është Lefter Koka, i zgjedhur nga lista e LSI-së në qarkun e Durrësit. Në një reagim në Facebook, Koka thotë se qëndrimi i tij është i palëkundur për të mos djegur mandatin që i kanë besuar votuesit.

“Vendimi im i palëkundur është se unë nuk do të djeg mandatin e deputetit, që mijëra durrsakë më kanë besuar. I zgjedhur prej vullnetit të bashkëqytetarëve të mi, për të ushtruar pushtetin legjislativ dhe të jem përfaqësuesi i tyre. Mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar”.

Ish-Ministri i Mjedisit gjatë koalicionit PS-LSI shprehet se partia ku ai bën pjesë po tërhiqet nga lojëra të rrezikshme që dëmtojnë vendin.

“Ky nuk është një vendim thjesht i Lëvizjes Socialiste për Integrim, por i Saliut, i cili në shekullin e 21 bën thirrje për plumba ballit. Dhe nëse erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI, a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe unë i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë”.

Deputeti durrsak shkruan se do të vazhdojë të përfaqësojë zërin e zgjedhësve në parlament.

Tv Klan