Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, shprehet se kapja e kokainës në Durrës nuk është një rastësi por një dëshmi i luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar.

Në një postim në mediat sociale, ministri shprehet se operacionet e fundit të policisë që kanë çuar në 1 ton sasinë e kapur të kokainës në Portin e Durrësit, dëshmojnë besimin e lartë të partnerëve ndërkombëtarë.

Më tej Çuçi shton se se kjo është një luftë e vazhdueshme kundër trafikut të drogës, dhe nuk përfundon me një aksion.

Faktet flasin vetë. Pas operacionit të sotëm shkon në rreth 1 ton sasia e lëndës narkotike e llojit kokainë e kapur në Portin e Durrësit gjatë katër muajve të fundit. Asgjë nuk është e rastësishme, por dëshmi e luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe e aftësisë zbuluese e goditëse të Policisë së Shtetit.

Këto operacione dëshmojnë gjithashtu besimin e lartë të partnerëve tanë ndërkombëtarë në hetimet e përbashkëta, intensive dhe profesioanle, në goditjen e rrjeteve të trafikut të drogës. Kjo është një luftë e vazhdueshme, që nuk nis e as përfundon me një operacion.

Ne do të vijojmë punën me Policinë e Shtetit dhe të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda e jashtë vendit, për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt“, është ky reagimi i ministrit./tvklan.al