Denis Doda mohon akuzat për trafik të lëndëve narkotike

Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës vendosi të lërë në burg Denis Dodën. 35-vjeçari është administrator i kompanisë “Fish Co Tirana”, në kontejnerin e porositur prej saj në Ekuador u zbulua pak ditë më parë 7 kg kokaine në portin e Durrësit.

Përpara gjykatës, Doda, ka mohuar të ketë dijeni apo të jetë i përfshirë në trafikun e drogës. Ai i hodhi poshtë akuzat e prokurorisë duke u shprehur se në Amerikën Latine kishte porositur vetëm prodhime deti. Por prokuroria këmbënguli në lënien në burg të 35-vjecarit që u pranua nga trupi gjykues. Zbulimi i rastit të fundit të kokainës në portin e Durrësit erdhi pas një sinjalizimi nga partnerët ndërkombëtarë.

Policia kriminale në bashkëpunim me task forcën e instaluar në mënyrë permanente në Portin e Durrësit ushtroi kontroll të detajuar në kontejnerin e ardhur nga Ekuadori.  Në këtë mënyrë u zbuluan 6 pako të drogës të fshehura në pjesën e kapakëve të ventilimit. Krah tyre ishte vendosur edhe një GPS që përdorej nga trafikantët për të gjurmuar ngarkesën nga nisja deri në destinacion.

Kohët e fundit kontejnerët që vijnë nga Amerika Latine konsideron me risk të lartë ndaj kalojnë në kontrolle më të detajuara. Vetëm gjatë muajit korrik në Portin e Durrësit u zbuluan 3 ngarkesa të tjera me kokainë në portin e Durrësit.

Tv Klan