Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka rikonfirmuar masën e sigurisë, arrest me burg për Armando Pezakun dhe Donald Lushajn, të vetmit e arrestuar për 613 kilogramët e kokainës së kapur në Maminas. Për togat e zeza, për shoferin që transportoi kamionin nga porti në magazinat e firmës “Arbri Garden” dhe menaxherin e kësaj kompanie, nuk kanë ndryshuar kushtet dhe deri në përfundim të hetimeve duhet të qëndrojnë në qeli.

Dy 25-vjeçarët vazhdojnë të mohojnë akuzën e ngritur nga prokuroria për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, duke sqaruar se nuk kanë pasur dijeni se në kontenierin me banane ishte fshehur kokainës. Në kërkim për këtë çështje është shpallur pronari i kompanisë “Arbri Garden”, Arbër Çekaj.

41-vjeçari nga arratia ka mohuar përfshirjen e tij, duke deklaruar në media se do të kthehej në Shqipëri për t’u përballur me akuza. Por kur kanë kaluar gati tre javë, kjo gjë ende nuk ka ndodhur. Për prokurorinë, dëshmia e tij konsiderohet mjaft e rëndësishme. Në Gjermani, ku ai mendohet se fshihet, janë bërë disa kontrolle në adresën e dhënë, por nuk është gjetur.

Tv Klan