“Droga u fut në pjesën e jashtme”

Bajron Gumeni, i vetmi i arrestuar lidhur me kokainën e kapur në portin e Durrësit, ka mohuar që të jetë i përfshirë në trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë. Në dëshminë e tij para oficerëve të policisë së krimeve, Gumeni administrator i firmës që importon banane është shprehur se ishte paraqitur në port për të tërhequr kontenierin, të cilin e kishte porositur firma në Ekuador.

34-vjeçari Gumeni ka pretenduar se sasia prej rreth 12 kg kokainë është vendosur nga persona të tjerë në pjesën e jashtme të kontenierit.

Kjo vërtetohet dhe nga policia, të cilët sasinë e drogës e kanë gjetur në pjesën frigoriferike, pranë e impiantit të kondicionerit, që ishte ambalazhuar në 14 pako.

Për grupin hetimor nevojitet dhe dëshmia e pronarit të firmës Eduart Dauti, i cili është shpallur në kërkim nga blutë. Aktualisht ai ndodhet në Francë, pasi është larguar nga Shqipëria rreth një javë më parë në rrugë të ligjshme.

Policia e shtetit i ka dhënë afat 72 orë 50-vjeçarit Dauti për t’u paraqitur dhe për të dhënë dëshminë e tij. Hetuesit kërkojnë që deklaratat e dhëna publikisht, Dauti t’i japë dhe para grupit hetimor. Sipas burimeve, në rast se nuk paraqitet, ai do të shpallet në kërkim ndërkombëtar.

Bajron Gumeni, administrator i kompanisë, është i vëllai i pronarit Eduart Dauti.

Sipas informacioneve, ngarkesa ishte nisur më 8 Korrik nga porti i Pireut dhe ka mbërritur në Porin e Durrësit në 11 Korrik.

Klan News