Policia merr në pyetje dy kushërinjtë e arrestuar, mohojnë përfshirjen në trafik droge

Zbulimi i 143 kilogramëve kokainë në Portin e Durrësit është bërë pas informacioneve të marra në rrugë operative rreth 2 javë më parë, nga autoritetet shqiptare dhe agjencitë e huaja ligjzbatuese. Pas këtij informacioni janë intensifikuar kontrollet në port për të gjitha ngarkesat që mbërrijnë nga Amerika Latine.

Nga kodet mbi pakot e drogës, policia dyshon se porositësit janë më shumë se një, duke intensifikuar hetimet me qëllim zbulimin e të tjerë personave të implikuar në këtë veprimtari të kriminale. Për këtë arsye janë ngritur dyshimet se porosia e lëndës narkotike të jetë bërë nga 3 grupe kriminale.

Kontejneri me banane është ngarkuar në fillim të Marsit në portin Guayaquil në Ekuador. Nga Ekuadori ngarkesa ka përfunduar në portin e Panamasë të quajtur Rodman dhe është nisur drejt Italisë për të kaluar transit në portin e “Gioia Tauro” në Kalabri.

Klajdi Xibraku dhe Erjon Peti, administratorë të kompanisë “Massabi Fruits”, të arrestuar të shtunën për ngarkesën me 143 kilogramë kokaine, kanë mohuar të jenë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

Ata kanë pohuar se janë përgjegjës vetëm për atë çfarë ka kontejneri mban në brendësi, në këtë rast të bananeve dhe jo të asaj që ishte fshehur në strukturën metalike. Gjatë dëshmisë së tyre, dy të ndaluarit i kanë kërkuar organeve të drejtësisë që të kapin trafikantët e vërtetë.

Prokuroria e Durrësit thotë se mbi dy të arrestuarit, ka ngritur akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pasi ka indicie që këta të fundit janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale të trafikut nga Ekuadori në drejtim në vendit tone.

Tani policia dhe prokuroria po përpiqen të kuptojnë rolin e tyre në blerjen e 143 kilogramëve të kokainës dhe mbi të gjithë se kush janë gjithë financuesit e kësaj sasie të madhe droge. Për të përcaktuar rolin e tyre dhe personat e tjerë të dyshuar policia ka nisur me verifikimet e telefonave celular të dy kushërinjve të arrestuar si edhe gjithë dokumentacionin e kompanisë.

Klan News