Një sasi droge e llojit kokaine me flamur shqiptar u sekuestrua në El Guobo të provincës El Oro në Ekuador. Ngarkesa prej 122 kg do të futej në portin detar dhe kishte si destinacion, Europën, thotë policia lokale.

Aksioni i Forcave Speciale u zhvillua më datë 15 shkurt. Policia që është në gatishmëri të lartë pas trazirave të fundit, ka konstatuar tre mjete, dy kamionë dhe një furgon, që po qarkullonin jashtë orarit policor. 

Drejtuesit nuk iu bindën urdhërit duke u larguar me shpejtësi. Një prej kamionëve u përplas me murin e një fabrike bananesh, ndërsa shoferi u fsheh mes plantacioneve. Mediat ekuadoriane thonë se gjatë kontrollit të imtësishëm u bë e mundur pas rreth 1 ore, arrestimi i drejtuesit të kamionit, Xhonatan M. 37 vjeç, të cilit iu gjetën 2090 dollarë.

 Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti të fshehur sasinë e drogës që ishte e ndarë në pako me mbishkrimin “JP” dhe flamurin shqiptar të stampuar. Shefi i policisë së El Oro, deklaroi se droga e sekuestruar do të dërgohej në Evropë. Nëse do të hidhej në treg trafikantët do të përfitonin rreth 7 milionë dollarë.

Klan News