Dy shqiptarë akuzohen për importin e një sasie kokaine me vlerë më shumë se 1 milion paund në Britaninë e Madhe.

M.Bajraktari, 20 vjeç dhe R.Vukzaj, 23 vjeç, u arrestuan të martën në portin e Tilbury-t, pasi tentuan të aksesonin sasinë e drogës. Ishin punonjësit e portit që njoftuan policinë.

Oficerët kufitarë gjetën 16 kilogramë kokainë në një kontenier frigoriferik që kishte mbërritur në Terminalin e Kontenierëve të Londrës, nga Belize, të premten e shkuar.

Hetuesit e Agjencisë Kombëtare të Krimit, (NCA) thanë se nëse do të hidhej në treg, droga kishte një vlerë mbi 1 milionë paund.

“Inkurajojmë punonjësit e portit që të na njoftojnë për çdo aktivitet të dyshimtë që shohin gjatë punës së tyre. Jam shumë i kënaqur që në rastin konkret, vigjilenca e tyre çoi në sekuestrimin e një sasie domethënëse kokaine”, u shpreh komandanti Jacque Beer.

Sipas mediave britanike Bajraktari dhe Vukzaj dolën para gjykatës së Chelmsford këtë të enjte dhe do të qëndrojnë në qeli deri sa të dalin në gjykatën e Basildon më 3 Qershor. Mbi dyshen rëndojnë akuzat e posedimit dhe importit të drogave të klasit A./tvklan.al