Të rinjtë vinin nga Durrësi në Tiranë për të shitur drogë

Ky është momenti kur 5 të rinj arrestohen në kryeqytet. Atyre u vihen prangat në ambientet e jashtme të një lokali në rrugën dytësore Tiranë-Durrës në afërsi të fshatit Marikaj. Të moshës nga 24 deri në 34 vjeç, ata kishin ardhur nga Durrësi dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike kokainë në lokalet e natës në zonën e ish-Bllokut. Droga sigurohej kryesisht në Shijak dhe  Durrës.

Ata po udhëtonin me tre automjete, dhe gjatë kontrollit të një prej të tyre, u gjet një pako me mbi 1 kg kokainë. Tre makinat bashkë me 9 aparate celularë, 710 euro si dhe 149 mijë lekë u sekuestruan nga policia. Pakot ku mbahej lënda narkotike ishin me stampën e firmës së njohur ‘Moncler’, emër që mori dhe operacioni policor.

5 të arrestuarit monitoroheshin prej muajit Dhjetor nga sektori për hetimin e narkotikëve në Tiranë pasi kishin dyshime për aktivitetin e tyre kriminal. Përveç përgjimeve që vërtetuan shitjen e kokainës, u bë edhe blerje e simuluar nga ana e agjentëve të infiltruar të policisë. Të arrestuarit nuk janë të proceduar më herët për trafikim droge, por kanë procedime të veprave të tjera më të lehta si kundërshtim i punonjësve të policisë, apo shkaktim i trazirave në stadiume. Policia po verifikon edhe për persona të tjerë të përfshirë, një prej të cilëve u shpall në kërkim.

Antidroga e Tiranës prej Janarit ka sekuestruar afro 9 kg kokainë, 50 kg heroinë dhe rreth 150 kg kanabis. Për këtë sasi droge janë konstatuar rreth 600 persona të përfshirë. Referuar të dhënave, gjatë 2023 rezultojnë raste të shtuara të shpërndarjes së drogave të forta, kryesisht kokainë dhe heroinë. Kjo pasi vitin e shkuar u sekuestruan 9 kg kokainë, 670 gramë heroinë dhe 90 kg kanabis.

Klan News