Një shqiptar, i cili u kap duke shpërndarë kokainë, rrezikon që të dënohet me burg në Britani. 34-vjeçari Altin Domi pranoi akuzën e përfshirjes në shpërndarjen e drogave të klasit A në Plymouth, më 2 Gusht të vitit 2016.

Ai ia kaloi kokainën një personi tjetër ndërkohë që ndodheshin të ulur në pjesën e pasme të një taksie.

Domi, i cili jetonte në perëndim të Londrës, u shfaq me anë të një videolink-u në seancën e zhvilluar në gjykatën e Playmouth.  Sipas të përditshmes “The Herald”, gjykatësi James Townsend pritet të japë vendimin për shqiptarin të premten. Megjithatë ai e paralajmëroi të pandehurin se për shkak të krimit që ka pranuar, do të marrë dënim me burg.

Gjykata u njoh më tej me faktin se Domi ishte një emigrant i paligjshëm dhe për këtë arsye nuk mund të dënohet me shërbim në komunitet.

Ali Rafat, duke folur në mbrojtje të Domit tha se ai nuk kishte precendentë të mëparshëm penalë në Shqipëri. 34-vjeçari rrezikon deportimin pasi të kryejë dënimin në Britani.

/tvklan.al