Një 27 vjeçar në Shijak është prangosur këtë të Premte pasi u kap me doza kokaine, gati për shitje.

“Shiste doza kokaine, në lagje të ndryshme të Shijakut, kapet në flagrancë dhe arrestohet 27-vjeçari. Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në disa doza të gatshme për shitje, një peshore elektronike, automjeti me të cilin lëvizte i arrestuari, dhe një celular.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të Policisë së Durrësit, në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, është finalizuar operacioni policor i koduar “Zona”.

Falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, specialistët e Forcës së Posaçme “Shqiponja” arrestuan në flagrancë shtetasin D. Sh., 27 vjeç, banues në Gjepalaj, Shijak.

Gjatë kontrollit fizik dhe në automjetin me të cilin lëvizte shtetasi D. Sh., u gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje dhe një peshore elektronike, të cilat u sekuestruan së bashku me automjetin dhe me një celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia./tvklan.al