Kolegji Zgjedhor ka zbardhur vendimin me të cilin rrëzoi dekretin e Presidentit Ilir Meta për të anuluar 30 Qershorin si datë të zgjedhjeve. Në vendimin e siguruar nga Tv Klan, Kolegji e quan të pavlefshëm çdekretimin e datës të zgjedhjeve duke vlerësuar si të drejtë dhe të bazuar në ligj vlerësimin e  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e njohur aktin administrativ të kreut të shtetit, pasi thotë se është jashtë kompetencave të tij dhe kundështim me ligjin.

“Në bindjen e Kolegjit Zgjedhor, ky Dekret i dytë, i cili shfuqizon Dekretin e datës 05.11.2018 “Për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019” është akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, në kuptim të nenit 108, paragrafi 2, germa “a” të Kodit të Procedurave Administrative , sipas të cilit: “Akti administrativ është absolutisht i pavlefshëm: kur vjen në kundërshtim të hapur dhe flagrant me një dispozitë urdhëruese të këtij Kodi dhe legjislacionit në fuqi lidhur me kompetencën e organit publik”.

Dhe për kompetencë, sqaron Kolegji Zgjedhor, kreu i shtetit ka vetëm dekretimin e zgjedhjeve dhe jo çdekretimin e tyre. Me çdekretimin, thuhet në vendim, Presidenti ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar nga Kushtetuta.

“Presidenti ka kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve. Kjo kompetencë lidhur me datën e zgjedhjeve është e vetmja si e tillë e shprehur në rendin ligjor shqiptar, thënë kjo duke konsideruar edhe situatën rregullatore të Kodit Zgjedhor, i cili në asnjë dispozitë të tij nuk parashikon kompetenca të tjera përveç sa është parashikuar në Kushtetutë. Kolegji vëren se, në mungesë të një kompetence të shprehur në ligj, çdo veprim tjetër tej kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta dhe ligji, bie ndesh jo vetëm me një dispozitë urdhëruese sikurse është neni 94 i Kushtetutës, por edhe me jurisprudencën e vetë Gjykatës Kushtetuese”.

Kolegji shprehet se dekretimi duhet bërë duke respektuar periudhën zgjedhore dhe jo më vonë se 9 muaj. Për këtë arsye e vlerëson në shkelje të hapur të ligjit çdekretimin e 30 Qershorit.

“Presidenti i Republikës ka kompetencë të kufizuar në kohë, dhe tej kësaj kohe, ai nuk ka më asnjë kompetencë për të vepruar në këtë drejtim. Pra, as mund të ndryshojë dhe as mund të shfuqizojë datën e zgjedhjeve. Të dyja këto parashikime të Kodit Zgjedhor nuk janë respektuar në nxjerrjen e dekretit të dytë, për rrjedhojë, janë momente që e bëjnë dekretin e dytë të Presidentit të Republikës të jetë në shkelje të hapur dhe në mënyrë flagrante me dispozitat ligjore në kuptim të nenit 108, paragrafi 2, germa “a” të Kodit të Procedurave Administrative. Vetëm ligji mund ta lejojë që Presidenti të ndryshojë apo të shfuqizojë datën e zgjedhjeve, sikurse ka ndodhur në vitin 2007, kur Kuvendi u detyrua të ndryshojë Kodin Zgjedhor për të mundësuar këtë”.

Me anulimin e 30 Qershorit, Kolegji thotë se Presidenti ka marrë kompetencat e parlamentit dhe u ka mohuar qytetarëve shqiptarë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

“Kolegji Zgjedhor çmon se Presidenti i Republikës, nëpërmjet anulimit të datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të 30 qershorit 2019, në mungesë të kompetencës ligjore dhe tej afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor, ka marrë kompetencat e një organi tjetër, konkretisht ka marrë kompetencat e Kuvendit të Shqipërisë. Në kushtet kur është Kuvendi organi që ka parashikuar afatet dhe rregullat e përcaktimit të datës së zgjedhjeve përmes parashikimeve të Kodit Zgjedhor, çdo ndryshim i mundshëm i tyre, në mungesë të delegimit, duhet të bëhet vetëm nga ky organ, pra vetëm nga Kuvendi i Shqipërisë. Gjithashtu, Kolegji Zgjedhor çmon se anullimi i datës së zgjedhjeve në mungesë të kompetencës ligjore dhe në shkelje të afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor bën që në fakt, shtetasve shqiptarë me të drejtë vote t’iu mohohet një e drejtë kushtetuese e parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë: e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës”.

Mohimi i të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, thuhet në vendimin e Kolegjit, bie ndesh edhe me parashikimet e Kodit të Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias, me Parimet bazë të trashëgimisë Elektorale Evropiane dhe Protokollit Shtesë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kolegji shprehet se Nëpërmjet anulimit të datës së zgjedhjeve bëhet edhe zgjatja e mandatit të organeve të qeverisjes vendore tej afatit ligjor, e një gjë e tillë është e papranueshme, pasi bie ndesh me Kushtetutën. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, gjykatës më të lartë për çështjet zgjedhore, është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankimim.

Tv Klan