Kampusi i Kolegjit të Europës do të ndërtohet në Qytet Studenti. Lajmin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se ky kolegj së bashku me kampusin e Universitetit të Tiranës do te jetë krushqia ideale europiane-shqiptare.
“Jam vërtet i kënaqur kur shoh si vlon puna, teksa përgatitemi për kampusin provizor të Kolegjit të Europës. Kemi liruar edhe parkingun pas godinës “Iliria”, kurse autobusët e linjave të juglindjes janë zhvendosur te Terminali pranë TEG-ut. Kjo do të thotë se edhe sheshi do të lirohet shumë shpejt, për t’u kthyer në një kantier për ndërtimin e një kampusi ultra-modern. I ka hije Shqipërisë gjithë ai insistim dhe mund i Kryeministrit për ta sjellë Kolegjin e Europës në Tiranë. Pjesa e kampusit, ku do të bashkëjetojë kampusi i ri i Universitetit të Tiranës me godinat e reja me kampusin e Kolegjit të Europës, besoj se është krushqia ideale europiane-shqiptare që do të simbolizohet aty”.
Kampusi i Kolegjit të Europës pritet të vihet në punë brenda Shtatorit për 31 studentët e parë.
“Lajmi i mirë që na erdhi nga rektorja, Federica Mogherini, është se për 31 studentët e parë ka një bursë. Kush do të pranohet automatikisht, e ka gjithçka të paguar në janar. Fakti që ka një kërkesë të jashtëzakonshme, sipas rektores, për të qenë staf dhe student në Tiranë, do të thotë se Tirana e ka ngritur vërtet piacën”.
Ky është i pari kampus që hap dyert jashtë një vendi të Bashkimit Europian. Kolegji i Evropës në Tiranë do të ofrojë një program akademik me standarde evropiane për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian .
Tv Klan