Rrëzon 5 kërkesat ankimore të Bindjes Demokratike

Mandatet e këshillave bashkiakë në 7 bashki; atë të Urës Vajgurore, Devollit, Kuçovës, Konispolit, Memaliajt, Përmetit e Poliçanit u certifikuan nga Kolegji Zgjedhor. Ky i fundit pranoi kërkesën e Partisë Socialiste për t’i shpërndarë mandatet e parlamenteve lokale, pas dështimit të KQZ për t’i miratuar për mungesë votash.

E njëjta procedurë pritet të ndiqet nga mazhoranca edhe për këshillat e 5 bashkive të tjera, atë të Tiranës, Beratit, Shijakut, Selenicës dhe Kurbinit, të cilat nuk arritën dot të kalonin në mbledhjen e të hënës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Të martën pritet të shqyrtohen 13 kërkesat e tjera të bëra nga Partia Socialiste për shpërndarjen e mandateve për bashkitë Mirditë, Finiq, Pukë, Pogradec, Vau i Dejës, Mat, Fushë-Arrëz, Roskovec, Kavajë, Dropull dhe Peqin, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën mbledhjes së parë të këshillave bashkiakë dhe betimit të kryetarëve të rinj për çdo njësi vendore.

Por për Partinë Demokratike, Kolegji ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të Këshillave Bashkiake, pasi më parë duhet të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese kërkesa për kushtetutshmërinë e 30 Qershorit dhe dekretet e Presidentit, e bërë pak ditë më parë nga Shoqata e Bashkive. Përmes një letre drejtuar trupës së Kolegjit Zgjedhor, opozita kërkoi pezullimin e procesit.

Paraditen e të hënës, Kolegji Zgjedhor rrëzoi edhe 5 kërkesat ankimore të bëra nga Bindja Demokratike për procesin zgjedhor të 30 Qershorit, si dhe një tjetër nga kryebashkiaku në largim i Finiqit, i cili nuk e pranon humbjen.

Tv Klan