Nuk merren parasysh kërkesat për asnjë qark

Ka marrë fund odiseja e ankimeve për zgjedhjet e 25 Prillit. Pas Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve edhe Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar të gjitha pretendimet e forcave opozitare për parregullsi dhe kërkesat e tyre për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 9 qarqe.

Këtë të martë kolegji hodhi poshtë ankimimet për qarkun e Fierit dhe të Elbasanit, duke mbyllur kështu të gjithë procesin e shqyrtimit të ankimeve për zgjedhjet e shkuara parlamentare.

Trupa e gjyqtarëve nuk i mori parasysh argumentet e paraqitura nga përfaqësuesit e subjekteve opozitare, duke i konsideruar kërkesat për pavlefshmëri të zgjedhjeve të pa mbështetura në prova dhe ligj.

Por për opozitën këto vendime janë në kundërshtim  me ligjin zgjedhor dhe të urdhëruar nga Edi Rama për ë fshehur atë që ajo e ka konsideruar si masakra zgjedhore.

Ndaj Partia Demokratike ka vendosur të mos dorëzohet në këtë përpjekje, duke paralajmëruar se do vijojë betejën e saj ligjore edhe në gjykatën ndërkombëtare. 

“Grupi i juristëve që është pranë Partisë Demokratike do të përgatisë shumë shpejt strategjinë ligjore që ne do të ndjekim në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Strasburgut për transparencë të plotë për procesin zgjedhor të 25 Prillit”.

Tashmë në përfundim të procesit të ankimeve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve duhet të bëjë certifikimin dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 25 Prillit.

Tv Klan