Pas KAS-it, “beteja” e opozitës që kërkon pavlefshmëri për votimet e 25 Prillit po zhvillohet në Kolegjin Zgjedhor. Ditën e sotme nisi shqyrtimi për ankimin që partitë kanë bërë për Gjirokastrën.

Pas pretendimeve nga partitë opozitare, në përfundim anëtarët e Kolegjit Zgjedhor kanë rrëzuar kërkesën e PD-së për të marrë prova shtesë nga institucione të tjera dhe LSI-së për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në Gjirokastër.

Kolegji Zgjedhor i ka konsideruar si të pambështetura në ligj pretendimet e opozitës.

“Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e padive të Kreshnik Merxhanit, LSI dhe PD-AN si të pambështetura në prova dhe në ligj. Ky vendim është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk bëhet ankim”.

Ndërkohë, sekretari për çështjet zgjedhore në PD Ivi Kaso tha se, “Vendimi i Kolegjit u paratha në momentin e administrimit të provave refuzoi provat tona duke rimarrë të njëjtën sjellje të KAS. Janë prova në disponim të administratës shtetërore të cilat faktojnë sjelljen e paligjshme të organeve të administratës që u vunë në dispozicion të plotë të interesave elektoralë të partisë në pushtet. Jemi të keqardhur që një kërkesë e tillë nuk u pranua pasi në mënyrë të shpejtuar dhe jo në përputhje me standardet e Kodit Zgjedhor kjo kërkesë për provë u vlerësua si një kërkesë e cila nuk lidhej me fakte konkrete të ndodhura në Qarkun e Gjirokastrës”.

Disa nga anëtarët që po morën në shqyrtim ankimin janë Alma Kolgjoka, Asim Vokshi, Gentian Medja, Manjola Xhaxho dhe Sokol Ibi.

Ndërkohë sot, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e opozitës për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në Korçë, Elbasan dhe Fier./tvklan.al