Pas Gjirokastrës erdhi radha e Vlorës. Edhe në këtë rast vendimi i Kolegjit Zgjedhor ishte i njëjtë. Zgjedhjet janë të vlefshme dhe nuk do të ketë ripërsëritje.

Në këtë mënyrë, anëtarët e Kolegjit kanë rrëzuar të gjitha ankimimet e Partisë Demokratike dhe LSI-së për marrje informacionesh shtesë dhe përsëritje të zgjedhjeve. Kolegji Zgjedhor i konsideron këto ankime të pambështetura në prova dhe ligj.

“Vendosëm rrëzimin e padive të LSI dhe PD si të pambështetura në prova dhe ligj”, thuhej në vendim.

Ndërkohë sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso, deklaroi se ky vendim ishte i përcaktuar.

“Fatkeqësisht një vendimmarrje tjetër negative sot, jo sa i përket ankuesit koalicionit të udhëhequr nga PD, por fatkeqe për transparencën e zgjedhjeve, një shans i humbur që të administroheshin dokumentacione të cilat provonin sjelljen e paligjshme të administratës  jo vetëm zgjedhore, por edhe shtetërore të vënë në dispozicion të shtetit për arritjen e rezultatit të PS-së në pjesën përgatitore, por jo vetëm të procesin të 25 Prillit. Është një vendimmarrje që u përcaktua jo vetëm nga masat e djeshme, nga standardi që Kolegji vendosi dje, por edhe me vendimmarrjen për mosadministrimin e provave, pavarësisht se pati një debat me domosdoshmërinë e administrimit të tyre për të hedhur dritë mbi parregullsitë”, tha Kaso.

Ditën e djeshme, Kolegji Zgjedhor rrëzoi partitë opozitare duke shpallur të vlefshme zgjedhjet në Gjirokastër./tvklan.al