Një kolonel austriak po hetohet nga autoritetet pasi dysohhet se ka punuar si spiun për Rusinë. I dyshuari është aktualisht 70 vjeç, i dalë në pension kohët e fundit. BBC raporton se koloneli austriak mendohet të ketë spiunuar për Rusinë që nga vitet 1990 e deri më tani. Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl anuloi vizitën e planifikuar në Rusi pas zbulimit të këtij skandali.

Lajmin për hetimin e këtij rasti, e bëri të ditur vet Kancelari austriak Sebastian Kurz në një konferencë për shtyp. Ai u shpreh që nëse këto dyshime konfirmohen, atëherë kjo nuk mund të përmirësojë marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe Rusisë.

Ndërkohë, ministri austriak i Mbrojtjes tha se çështja e spiunimit doli në dritë disa javë më parë me ndihmën e një agjencie evropiane të inteligjencës. Identiteti i kolonelit austriak të dyshuar si spiun rus nuk është bërë publik.

Mediat austriake shkruajnë se koloneli ka qenë tepër profesional kur ka qenë në detyrë. Kurse sipas gazetës “Kronen Zeitung”, ai besohet të ketë mbajtur kontakte me një rus të njohur si Yuri, dhe përdorte pajisje të sofistikuara për të komunikuar me të. Sipas informacioneve mediatike, thuhet se rusët kishin qenë mjaft të interesuar për informacione sekrete rreth forcave ajrore të Austrisë, sistemeve të tyre të artilerisë dhe për profilet e oficerëve austriakë të rangjeve të larta. Për shërbimet e tij si spiun rus, koloneli austriak ishte paguar 300 mijë Euro, thonë raportet mediatike.

Deri më tani, Austria është parë si një nga aleatët e vetëm të Rusisë në Bashkimin Europian. Presidenti rus Vladimir Putin, në muajin Gusht ishte i pranishëm në martesën e ministres Kneissl.

Bashkimi Europian ka vendosur disa sanksione kundër Rusisë pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina në vitin 2014, pas helmimit të ish-spiunit Sergei Skripal në Britani dhe vajzës së tij në muajin Mars. Por, ndryshe nga pjesa më e madhe e vendeve të BE-së, Austria vendosi që të mos dëbonte diplomatë rusë pas helmimit të Skripal.

/tvklan.al