Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Komandanti i Forcave të NATO-s në Kosovë, gjeneral Ortunjo me rastin e përfundimit të mandatit të tij, zhvilloi sot një takim me Presidentin Rexhep Mejdani dhe me Ministrin e Mbrojtjes Ilir Gjoni. Në këto takime ishte i pranishëm edhe komandanti i COMS Westit në Shqipëri gjeneral Kasaloto. Të gjithë shqiptarët, kudo që janë, tha presidenti Mejdani, iu falënderojnë dhe iu janë mirënjohës për punën dhe misionin tuaj në Kosovë.

Unë, tha nga ana e tij gjeneral Ortunjo, largohem nga Kosova pasi kam kryer detyrën time si ushtarak, por misioni ynë nuk mbaron këtu. Jemi të vëmendshëm sidomos në këtë periudhë zgjedhjesh në Serbi dhe në prag të zgjedhjeve të afërta në Kosovë. Gjithashtu në takimin që pati gjenerali Ortunjo me ministrin e Mbrojtjes Ilir Gjoni, u theksua se bashkëpunimi i ushtrisë sonë me COMS Westin, në Shqipëri është i suksesshëm. Më tej u bisedua për situatën në Kosovë./tvklan.al