Trupat komando marrin në kontroll Portin e Vlorës. Njësitë e trupave komando janë vendosur dje në mbrëmje në mjediset e Portit të Vlorës ku kanë zëvëndësuar trupat e njësisë lokale të cilët kryenin shërbimin në këtë port ku funksionon një nga doganat më të rëndësishme të vendit. Mbas një përshëndetje me paraardhësit e tyre trupat speciale komando kanë filluar shërbimin duke siguruar zonën e portit në tre pikat hyrëse e dalëse të tij.

Vendosja e trupave të komandos këtu është realizuar pas një vendimi të Qeverisë një ditë më parë. Ai ka si qëllim kontrollin e rreptë të Portit dhe bllokimin e kontrabandës. Një ditë më parë në këtë doganë kanë mbërritur në krye të një ekipi ekspertësh dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Petrit Ago si dhe përfaqësuesja e Divizionit 21 në Shqipëri, Natalia Cea.

Porti i Vlorës ka patur probleme në fushën e kontrabandës. Pak javë më parë nga një anije është tentuar të kalohet fshehtas një sasi e madhe karburanti që është mbuluar nga policët e Portit. Të implikuar në këtë tentativë kontrabande ishin dhe tre uniformat blu rojet e portit. Po në Durrës ku komandot vunë dorë dhe rregulluan situatën, që sot shtohet më tepër kontrolli i pasaportave që do bëhet me anë të një aparati me rreze infra të kuqe që shërbejnë për zbulimin e pasaportave fallso./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj