Kombëtarja Shqiptare e Basketbollit për meshkuj pësoi humbjen e dytë, në dy ndeshje të paraeliminatoreve të Kupës së Botës. Në Arenën e Amsterdamit, të besuarit e trajnerit Kostandinidhis nuk ia dolën dot, dhe përfunduan lojën me 14 pikë më pak se skuadra vendase.

Kur duhen edhe dy ndeshje, një ndaj Austrisë dhe një ndaj Holandës, Kombëtarja është pranë dështimit, pra mund të mos kalojë dot as në eliminatoret e zakonshme.

Shqipëria, gjithsesi, ishte e fortë deri në gjysmën e përballjes, duke kryesuar me dy pikë, por e dëmtoi mungesa e kontributit nga stoli.

Vetëm pesë lojtarët e formacionit shënuan, ku më i miri ishte Gerti Shima me 23 pikë, 5 topa në tabela, 4 asistë, 2 bllokime në gjuajtje dhe 1 vjedhje topi kundërshtarëve.

U dalluan edhe Franko Bushati me 21 pikë, Endrit Hysenagolli me 15 dhe amerikani i natyralizuar shqiptar, Mozer, që shënoi po ashtu 15 pikë.

Ndeshja e radhës është në fushën e Austrisë në 12 gusht. TV KLAN