Vajzat kuqezeza luajnë në eventin “Visti Malta Trophy”, ndeshen me Bjellorusinë dhe Ishujt Faroe

Trajneri i Kombëtares shqiptare të vajzave, Armir Grima mendon se turneu “Visit Malta Trophy” është një mundësi e mire për të parë nga afër gjendjen e vajzave. Ekipi mbërriti në ishull mëngjesin e së mërkurës. Sfida e parë do të jetë ndaj Bjellorusisë, në stadiumin “Tonny Bezzina” në orën 14:00 të së enjtes. Tekniku tregoi objektivin për vajzat kuqezeza.

“Kemi dy kundërshtarë të barabartë me ne dhe objektivi kryesor është që t’i japim minuta vajzave, t’i aktivizojmë sa më shumë vajzat e reja dhe të bëhemi gati për eliminatoret që kemi në muajin prill”, u shpreh fillimisht trajneri Grima.

Trajneri Grima theksoi se përfaqësuesja është një derë e hapur për të gjitha vajzat që kanë dëshirë të nderojnë flamurin dhe kombin.

“Në çdo grumbullim që bëjmë mundohemi që të afrojmë vajza të reja, mundohemi që t’i motivojmë që ta shohin vetë, që të jesh pjesë e ekipit Kombëtar nuk është diçka që duhet marrë lehtësisht, duhet djersë, mund dhe duhet ta provojnë vetë se si është të jesh pjesë e ekipit Kombëtar dhe të luash me ato kundërshtarë që luan Kombëtarja. Prandaj jua kemi dhënë mundësinë dhe do vazhdojmë që t’i japim mundësinë, është një derë e hapur për të gjitha vajzat që kanë dëshirë për t’u rritur, aktivizuar dhe për të nderuar flamurin dhe kombin tonë”, përfundoi trajneri Grima.

Ndeshja e dytë e Kombëtares së vajzave do të jetë ndaj Ishujve Faroe, më 25 shkurt.

Klan News