Shqipëria e nisi me humbje fushatën kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Anglia ishte tepër e fortë për Kuqezinjtë që u dorëzuan në Wembley ku u mundën 2 – 0.
Kombëtarja pati momente të mira në këtë sfidë, por pa mundur të festojë të paktën 1 gol. Në të 20’ debutuesi Lewis Skelly realizoi në portën e Strakoshës, duke shfrytëzuar një pasim tepër të zgjuar të Bellingham.
18-vjeçari justifikoi besimin e trajnerit Thomas Tuchel i cili kishte ndeshjen e parë me Anglinë.
Shqipëria pati rastet e saj, ndërsa portieri Strakosha dhe mbrojtja u shfaqën të sigurtë në disa momente.
Broja u aktivizua në të 63’ duke krijuar aksione, por ishin sërish anglezët të cilët realizuan me kapitenin Kane.
Gjithsesi trajneri Sylvinho u shpreh i kënaqur me atë që treguan lojtarët në fushë ndaj një kundërshtari tepër të fortë.
“Anglia ka lojtarë shumë të fortë në aspektin fizik. Ne ishim në lojë deri në minutën e 77’, pastaj goli i dytë na goditi. Është e rëndë humbja, por duhet t’i përgëzoj lojtarët. Ne luftuam deri në fund, duhet të përmirësohemi, por shpirti që tregoi loja më jep qetësi, pasi japin 100% në fushë”, tha Sylvinho.
Forcën e kundërshtarit e përmendën edhe Kuqezinjtë, por duke shtuar se Shqipëria dha maksimumin në fushë.
“Atë që kemi vuajtur më së shumti ishte loja e Bellingham. Me një lëvizje ai nxjerr jashtë loje të gjithë mbrojtjen dhe kjo u pa te goli i parë”, tha Gjimshiti.
“Ishte një ndeshje e vështirë se Anglia ka një ekip me cilësi. Po ekipi ka dhënë maksimumin, patëm raste për të bërë gola”, tha Broja.
Shqipëria të hënën do të zhvillojë ndeshjen e dytë atë ndaj Andorrës në Tiranë, që të premten u mund 1 – 0 në shtëpi nga Letonia. Edhe këtë takim ashtu si me Anglinë do ta ndiqni në TV Klan.
Tv Klan