Me laps e letër në dorë, Christian Panucci po zhvillon seancat stërvitore në përgatitje të miqësores me Ukrainën duke kërkuar nga futbollistët të bëjnë ekzaktësisht atë që ai kërkon.

Ashtu siç premtoi në fund të ndeshjes me Kosovën, italiani po kthehet në një rreshter të hekurt dhe kërkon që të gjithë t’u japin këmbëve. Fjalime të gjata në nisje të çdo seance dhe shumë punë gjatë 90 minutave stërvitje.

Vetë futbollistët duan të harrojnë sa më shpejt paraqitjen me Kosovën.

“Për ekipin është shumë me rëndësi të bëjmë ndeshje të mirë me Ukrainën. Të shkojmë të frymëzojmë ekipin, të japim maksimumin për veten tonë dhe për tifozët. Pas humbjes me Kosovën të gjithë duam të reagojmë, sepse kemi bërë figurë të keqe. Me Ukrainën ndeshje për karakter”.

Nga mënyra si kanë kryer stërvitjen lojtarët thonë se ndaj Ukrainës do të ketë ndryshime në formacion dhe rreshtim.

“Kemi diskutuar për ndeshjen që kaloi. Me Ukrainën do të ketë ndryshime, por këto do t’i vendosë trajneri. Me Ukrainën kemi mundësi të përmirësojmë gabimet sa më shpejt”.

Ndryshime nga ndeshja e fundit do të ketë edhe Shevchenko.

“Së pari të shikojmë gjendjen e lojtarëve. Në vend të atyre që luajtën për 90 minuta do të aktivizojmë disa të tjetër më të freskët”.

Në një tjetër njoftim, Federata Ukrainase e Futbollit lajmëron tifozët se ndeshja do të luhen në stadiumin “Camille Fouirnier” të qytetit Evian në Francë, si dhe bën të ditur edhe kanalet televizive ku do të mund të ndiqet ndeshja.

Tv Klan