Fitorja e Shqipërisë në miqësoren me Katarin tërhoqi vëmendjen e mediave italiane. Pavarësisht suksesit 3 – 1, “Gazzetta dello Sport” përmend faktin se mbrojtja e Shqipërisë pëson vazhdimisht gola për gabime individuale.

Një i tillë u pa edhe ndaj Katarit që në minutën e parë, aq sa nga trajneri De Biasi u cilësua si një gol budalla. Më pas gazeta e njohur italiane përmend golat e Ajetit dhe Lenjanit që e dërguan ekipin drejt pushimit në avantazh. Në këtë shkrim veçohet edhe goli spektakolar i Sadikut.

“Sportmediaset” dhe “Sky Sport” përmendin fitoren me përmbysje të Shqipërisë, ndërsa veçojnë golin e Ajetit, si një lojtar që sezonin e kaluar ishte pjesë e Frosinone në Serie A.

Përfaqësuesja italiane do të jetë kundërshtare e Shqipërisë në kualifikuese të Kupës së Botës 2018. Kombëtarja do të luajë një tjetër miqësore më 3 qershor me Ukrainën në stadiumin “Atleti Azzurri d’Italia” të Bergamos./ TV KLAN