Mentaliteti i treguar në miqësoret kundër Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit ka rritur pritshmëritë në radhët e kombëtares shqiptare. Trajneri Sylvinho u shfaq i kënaqur për atë që futbollistët dhuruan në fushën e lojës, fakt që i jep një tjetër shtysë për të bërë mirë në Kampionatin Europian.

Sylvinho, trajneri i Kombëtares: Jemi në fazë përgatitjesh. Kanë ardhur lojtarë me 50 ndeshje, të tjerë me 2 ndeshje, por edhe lojtarë të dëmtuar. Të gjithë kanë bërë shumë mirë, rezultati nuk ka shumë rëndësi. Kjo periudhë nga tani e tutje do i dedikohet strategjisë së ndeshjes me Italinë. Deri tani kishte rëndësi puna dhe menaxhimi i lojtarëve, gjithashtu forma e tyre.

Për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti sfida me Italinë do të jetë tepër emocionuese.

Berat Gjimshiti, futbollist i Kombëtares: Nuk do të jetë Gjimshiti kundër Gianluca Scamacca, por do të jetë Shqipëri kundër Italisë dhe besoj se kjo është gjëja më rëndësishme sepse do të mbrohemi të gjithë bashkë kundër Italisë dhe do të sulmojmë të gjithë bashkë.

Një gol e dy asiste ishte bilanci për Nedim Bajramin në këto 180 minuta. Mesfushori tregoi sekretin e efikasitetit në fushë.

Nedim Bajrami, futbollist i Kombëtares:
Besoj se këtu te Kombëtarja jemi të gjithë të motivuar dhe çdo kush duhet të japë maksimumin. Pastaj në fushë e dimë që goditjet nga jashtë i kemi edhe i provojmë çdo herë kështu që edhe sot edhe ndeshjen e kaluar Asllani dha një supergol, duhet të vazhdojmë kështu.

Fjalë motivuese nga ana e portierit, Thomas Strakosha që kërkon nga shokët e skuadrës të tregojnë grintë dhe karakter në Europian.

Thomas Strakosha, futbollist i Kombëtares: E dimë që do të jetë shumë e vështirë për të kualifikuar këtë grup, por kemi treguar që kemi shpresë, kemi dëshirë edhe kemi shpirtin shqiptare gjithmonë, që nuk i dihet kurrë. Nuk dorëzohemi kurrë dhe uroj të kualifikohemi.

Tashmë kombëtarja shqiptare do të vijojë përgatitjet në Gjermani për të zbritur më pas në fushë më 15 qershor në Dortmund kundër Italisë. Magjia e Euro2024 do të transmetohet ekskluzivisht në TV Klan.

Klan News