Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Afrohet ndeshja Shqipëri-Norvegji e vlefshme për Eliminatoret EURO 2000 që do të luhet të shtunën në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Skuadra kombëtare shqiptare vazhdon sistematikisht stërvitjen. Hafizi ka aktivizuar formacionin Tip në të cilin ka munguar vetëm Haxhi, që momentalisht ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore. Strakosha, Shulku, Xhumba, Fakaj, Vata, Tare, Lala etj, kanë qenë 11-shja që tekniku shqiptar ka nxjerrë në fushë.

Sot në mesditë në aeroportin e Rinasit ka mbrritur dhe delegacioni norvegjez. Takimi ndaj norvegjezëve për moshën 21-vjeçare, skuadra e drejtuar nga Bujar Kasmi, do të luhet nesër në stadiumin “Selman Stermasi”. Takimi do të drejtohet nga gjyqtari holandez.

Një biletë për në tribunën qëndrore ka arritur shifrën 1200 lekë ndërsa për në tribunën përballë çmimi ka vlerën 800 lekë. Në rast fitoreje çdo futbollist i skuadrës kombëtare do të marrë katër mijë dollarë, ndërsa për barazimin vetëm një mijë. Sipas një njoftimi të FSHF-së, dyert e stadiumit do të mbyllen 30 minuta para fillimit të ndeshjes dhe lokalet afer stadiumit nuk do të hapen atë ditë.    

Ndërkohë sot ka ardhur edhe vëzhguesi i takimit nga UEFA zviceriani që do të ndjeki të dy sfidat. Aktualisht Norvegjia komandon me 13 pikë në grupin e 2, ku Letonia e ndjek me 8 pikë./tvklan.al