Erdhi në Shqipëri me 11 mungesa dhe duke e menduar si të pamundur fitoren, shpresoi tek barazimi. Por për Skocinë, ndeshja në “Loro Boriçi” ishte si një shëtitje, ku ironikisht, meqë bëhej fjalë për një ndeshje zyrtare shënoi edhe 4 gola.

Lehtësisht madje, pasi gjeti përballë 11 lojtarë që mbanin veshur fanellat kuqezi, por që kurrsesi nuk mund të konsiderohen një skuadër përfaqësuese.

Pa formë, pa mendim loje, pa karakter, pa nerv, pa cilësitë e një ekipi. Kjo ishte Shqipëria në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve. Një skuadër që ngjalli ndjenjën e keqardhjes me pafuqishmërinë për të reaguar.

Shqipëria pësoi shumë shpejt, që në minutën e 14 dhe vetëm 7 minuta më pas u gjend me 10 lojtarë, pasi Mavraj mori të dytin të verdhë për reagim jo sportiv ndaj kundërshtarit.

Në fundin e pjesës së parë, nisur nga një goditje dënimi që u kthye në penallti nga një prekje e topit me dorë, skocezët shënuan golin e dytë.

Pjesa e dytë, me kompleksin e inferioritetit numerik, solli çorientimin e skuadrës që nuk mundi jo vetëm të ndërtonte aksione, por as të ndalte ato të kundërshtarit, që shënoi edhe dy herë të tjera me Forrest, në minutën e 55 dhe të 67.

Kjo humbje për mënyrën se si erdhi bën përgjegjës të gjithë lojtarët, por më së shumti trajnerin Panucci, i cili rrezikon shumë në postin e tij me kombëtaren shqiptare.

Pas takimit mësohet se italiani ka lënë të nënkuptohet se do të vazhdojë punën duke shpresuar tek rikthimi i të gjithë lojtarëve dhe me objektivin se do të ndryshojë diçka në skuadër.

Tv Klan