Deschamps: Shqipëria ka lojtarë cilësorë, por luajmë për 3 pikët

Një ndeshje për tifozët dhe për të festuar siç duhet në stadiumin e ri. Te kuqezinjtë urojnë që gjërat të mos shkojnë si me Andorrën dhe të kenë një paraqitje të denjë me Francën. Trajneri Edy Reja thotë se e ka studiuar kundërshtarin.

“Kemi punuar këto ditë dhe i njohim vështirësitë që mund të na krijojë kundërshtari. Kemi punuar në aspektin mbrojtës, por është dhe një ekip që mund të na lejojë dhe të shfrytëzojmë ato mundësi që do të na jepen”, tha Reja.

Kapiteni Elseid Hysaj nuk pret dhurata, por ta nisin mbarë në stadiumin e ri.

“Nuk besoj që kampionë si Franca të vijnë këtu të na falin pikë. Do të mundohemi ta respektojmë këtë stadium me një ndeshje të mirë dhe do Zoti me një fitore”, u shpreh kapiteni.

Francezët janë të qartë dhe duan vetëm fitoren, por trajneri Didier Deschamps nuk i zbeh vlerat e Shqipërisë.

“Është një ndeshje e fortë, pasi Shqipëria luan në fushën e saj. Kjo është një ndeshje që skuadra do të tregojë identitetin e saj”, tha ai.

Raphael Varane si kapiten tregon se objektivi është vendi i parë në grup. Franca e fitoi sfidën e parë në Paris me rezultatin 4-1, por te Shqipëria ka motivim edhe për shkak të stadiumit që pritet të jetë i mbushur në orën 20:45 të së dielës kur të nisë takimi.

Tv Klan