Gjatë verës u bind për të qëndruar, ndërsa tashmë pozitat kanë ndryshuar. Kristjan Asllani mund të ketë shpërdoruar mundësinë e artë për të mbetur për shumë gjatë te Interi. Mesfushori ka luajtur vetëm 77 minuta në këtë fillim-sezoni, mes kampionatit dhe Ligës së Kampionëve, duke mos arritur të fitojë besimin e trajnerit të zikaltërve, Simone Inzaghi. 

Në këto kushte duke parë edhe minutazhin e limituar që ka te zikaltërtit e ardhmja e mesfushorit të kombëtares vihet në dyshim. Sipas mediave italiane raportohet se Asllani mund të huazohet në merkaton e janarit te një tjetër ekip në mënyrë që të marrë minutat e merituara. 

21-vjeçari dëshiron që të jetë në gjendje optimale për Euro 2024, gjithmonë nëse kombëtarja jonë arrin të kualifikohet. Fakt që do e shtynte ta pranonte largimin nga Interi në një tjetër ekip ku do të kishte më shumë hapësira. Alternativë është rikthimi te Empoli, por në Itali ka interes për shërbimet e tij edhe nga ekipe të tjera si Cagliari, Sassuolo, Verona dhe Salernitana. Tashmë topi kalon në fushën e Asllanit, që ka tre muaj kohë për të bindur Inzaghin për të qëndruar zikaltër edhe për fazën e dytë të sezonit.

Klan News