Kombëtarja do të zhvillojë sot në mbrëmje seancën zyrtare para ndeshjes kualifikuese të Botërorit 2026 me Anglinë në Londër.

Kuqezinjtë do të zbresin në fushën e Wembley ku do të shikohet edhe gjendja fizike e lojtarëve. Kjo do ta ndihmojë stafin teknik të vendosë më mirë për formacionin pas problemeve të shumta me dëmtimet veçanërisht në mbrojtje.

Më herët trajneri Sylvinho do të dalë para gazetarëve. Në sfidën me kundërshtarin më të vështirë në grup pritet edhe mbështetja e tifozëve shqiptarë të cilët do të jenë edhe në sektorë të tjerë të stadiumit jo vetëm në atë të përcaktuar për miqtë. Ndeshja Angli – Shqipëri do të nisë në orën 20:45 të së premtes dhe do të transmetohet në TV Klan.

Me përfaqësuesen angleze në 6 takimet e mëparshme të gjitha në kualifikueset e Kupës së Botës, Kuqezinjtë kanë vetëm humbje, 19 gola të pësuar dhe vetëm 1 të shënuar. Në grupin kualifikues të Botërorit 2026 janë edhe Serbia, Letonia dhe Andorra. Vendi i parë shkon direkt në fazën finale, ndërsa vendi i dytë kalon në fazën play off.

Tv Klan