Mjeku Hysi: Me uljen e moshës së vaksinimit në 57 vjeç, kërkesat janë shtuar

Me rënien e numrit të të infektuarve shumë njësi administrative të kryeqytetit po kthehen në zona të pastra nga Covid-19, e tillë është edhe njësia nr.6.

“Kombinati është mirë sepse ne kemi dy javë që s’kemi të infektuar, nuk është paraqitur asnjë pacient me simptomat e Covidit apo që të jetë i diagnostikuar me Covid”, është shprehur mjeku Besar Hysi.

Mjeku Besar Hysi njëkohësisht edhe drejtues i ambulancës së Kombinatit thotë se edhe kërkesa për testim ka rënë ndjeshëm, ndërkohë që me uljen e moshës së personave që vaksinohen kërkesat janë shtuar.

“Kemi filluar vaksinat për grupmoshat mbi 57 vjeç për vaksinën e Sputnik që i drejtojmë në stadium dhe në qendrën shëndetësore tonën kryejmë vaksinën Pfizer për pacientët me sëmundje kronike dhe me diagnozat që i kemi sipas udhëzimit të Pfizer”, është shprehur ai.

Nga 967,700 doza vaksinash anti-covid që kanë ardhur në vendin tonë janë administruar më shumë se 855mijë prej tyre.  Deri më tani janë vaksinuar mbi 510 mijë qytetarë prej të cilëve 164 mijë  kanë marrë vetëm një dozë, ndërsa pjesa tjetër i kanë marrë të dyja.

Klan News