Shumë ngadalë? Shumë shpejt? Kancelarja lëviz në drejtim të Francës lidhur me reformat e propozuara për Europën nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

Stili është i ndryshëm. Presidenti i ri dhe dinamik francez i ka paraqitur idetë e tij për Europën në fjalime të zjarrta në disa ambiente publike, Universitetin e Sorbonës apo në Bashkinë e Aachenit. Duartrokitjet entuziaste të dëgjuesve, respektin e pak madhështinë ai i kishte të sigurta. Kancelarja me më shumë përvojë europiane, për një përgjigje të esëllt lidhur me propozimet e Macron zgjedhje një intervistë për numrin e së dielës së gazetës

Frankfurter Allegemeine Zeitung

. Vizionari në Pallatin  Elysee, pragmatikja në Berlin. Kjo është ndarja e punës së dyshes francezo-gjermane.

E kjo mund të funksionojë. Sepse Macron dhe Merkel nuk kanë nevojë të bindin njëri-tjetrin për Europën. Ata duhet më shumë të bindin të tjerët në BE për kursin e reformës në eurozonë, migrimin dhe mbrojtjen. Nuk mjafton, sipas kreut të Komisionit Europian, Juncker që të bien në ujdi vetëm gjermanët dhe francezët e të tjerët t’i ndjekin nga pas.

Të paktën në anijen europiane duhet të ngjitet edhe Italia. Një ndërmarrje shumë e vështirë, pas qeverisë së re në Romë, më e vështirë se sa përpjekja për të bindur Merkelin të thotë Po. Angela Merkel po i afrohet me hapa të vegjël partnerit francez. Ajo e bëri të qartë para disa javësh, se në cilin drejtim shkon rruga. Ajo mori konceptin e Macron për “sovranitetin” e Europës për të vepruar dhe për t’u transformuar.

Një kompromis për të gjithë i pranueshëm

Në një kohë që presidenti francez, kërkon zgjerimin e BE drejt një union transfertash dhe garancish, Merkel kërkon kredi, kontrolle, kushte dhe zgjerim të kujdesshëm. Në fund do të ketë një kompromis, të cilin të shpresojmë, që e mbështesin edhe shtete të tjera europiane. Kjo është e qartë për të dyja vendet. Në samitin e fundit në mars, Merkel dhe Macron u shprehën, se do të paraqesin në samitin e ardhshëm një plan konkret për eurozonën, por jo detaje të hollësishme.

Sigurisht deklaratat vizionare të Emmnauel Macron janë të guximshme dhe fondamentale. Por a janë të drejta? Angela Merkel e pret rrugën duke argumentuar me më të mundshmen. Mos po frenon shumë? Duhet të ketë një fond europian të valutës, që të mbështet vendet në krizë. Një fond investimesh që do të nxisë vendet strukturalisht më të dobëta. Por se sa të mëdha dhe me ndikim do të jenë këto institucione, kjo nuk është vendosur. Kancelarja negocion nga një pozicion relativisht i fortë. Në fund të fundit ajo ka paranë në dorë, si përfaqësuese e vendit me ekonominë më të madhe në Europë.

Ka ardhur koha

Të dyja palët janë të një mendimi – tani është koha për të vepruar. BE-në e bashkon politika absurde tregtare e Donald Trumpit. Papritur shumë skeptikëve në BE i është bërë e qartë, se si vende të veçanta, ato nuk arrijnë dot asgjë përballë Amerikës. Ndoshta BE ia del në këtë pikë. Sepse Trump i zhgënjen europianët jo vetëm në drejtim të politikës ekonomike dhe mjedisore, por edhe atë të jashtme. Kështu është më e lehtë të argumentosh, se BE duhet të përqëndrohet tek vetja dhe të bëhet më e aftë për veprim para çarjeve në aleancën transatlantike, kërcënimeve të sigurisë nga Rusia dhe konkurrencës masive nga Kina.

Koha kërkon që të veprohet. Pas një viti zgjidhet parlamenti i ri europian. Më së voni deri atëherë duhet të shohim rezultate të qarta që të mos forcohen edhe më tej populistët. Tjetra: BE po negocion për buxhetin e ardhshëm. Përplasjet e pritshme mes paradhënësve dhe paramarrësve ofrojnë shansin që të ripërcaktohen pikërëndesat politike dhe të detyron për kompromise. Nëse jo tani, kur? Europa nuk mund të vazhdojë më si deri më tani, ka thënë presidenti francez. Për këtë ai ka të drejtë./DW