Kryeministrja e Rumanisë ka shkarkuar nga detyra ministren e Arsimit Ecaterina Andronescu pas komenteve që kjo e fundit bëri në lidhje me rrëmbimin e një vajze 15-vjeçare. “Thellësisht të gabuara” i konsideroi deklaratat e ministres, kryetarja e qeverisë rumune. Kryeministrja Viorica Dancila tha se komentet e ministres së Arsimit për rrëmbimin e adoleshentes “tregojnë mungesë mirëkuptimi”.

Alexandra Macesanu 15 vjeç u rrëmbye në Bukuresht të mërkurën e kaluar. Duke folur për këtë ngjarje, ministrja e Arsimit tha në një televizion se adoleshentja duhet të kishte mësuar “që të mos futej në makinë me persona të panjohur”. Deklarata e saj shkaktoi zemërim publik, duke bërë që Kryeministrja të vendoste shkarkimin e saj.

Drejtori i Policisë së Rumanisë dhe ministri i Brendshëm janë larguar nga detyra, por kritikët po kërkojnë më shumë shkarkime. Autoritetet rumune janë kritikuar për reagimin e ngadaltë të tyre pas tre thirrjeve telefonike që 15-vjeçarja pati me oficerë policie.

I dyshuar për këtë ngjarje është 65-vjeçari Gheorghe Dinca, i cili është arrestuar. Ai i ka thënë policisë se e ka vrarë adoleshenten. Madje ka rrëfyer edhe për vrasjen e një tjetër vajze, 18-vjeçares Luiza Melencu e cila rezulton e humbur që nga muaji Prill. Policia gjeti disa prova gjatë kontrollit në shtëpinë e 65-vjeçarit. Analiza e ADN-së do të përcaktojë nëse përputhen me të Alexandra apo vajzës tjetër Luiza. Rezultatet pritet të dalin javën e ardhshme. /tvklan.al