BE kundër ndryshimeve kushtetuese

Zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerimin, Ana Pisonero, u deklarua sot në një linjë me partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë që bëjnë thirrje kundër ndryshimeve kushtetuese qe ndalojnë koalicionet parazgjedhore dhe kërkojnë për miratimin dhe zbatimin e marrëveshjes së 5 Qershorit për Kodin Zgjedhor.

“BE e ka mirëpritur marrëveshjen që u arrit më 5 Qershor. Është esenciale që reforma e re zgjedhore të miratohet sa më shpejt nga parlamenti brenda sesionit aktual. Kjo do të mundësonte implementimin më të lehtë të ndryshimeve të reja. Miratimi i kësaj marrëveshjeje do t’i sillte Shqipërisë një proces zgjedhor vitin e ardhshëm me integritet më të madh dhe me standardet e transparencës bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR. Kjo duhet të përfshijë edhe depolitizimin gradual të administratës zgjedhore. Reforma e re elektorale është kusht thelbësor i Këshillit Europian në muajin Mars për të hapur zyrtarisht negociatat me Shqipërinë. Ne nënvizojmë se iniciativa e ndërmarrë për ndryshime kushtetuese shkon përtej rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it. Sipas Komisionit të Venecias dhe këtyre rekomandimeve, ndryshimet kushtetuese nuk diskutohen një vit përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe kërkojnë konsensusin e duhur politik”.

Parlamenti është futur në një rreth vicioz tashmë, pasi opozita parlamentare që i aprovoi këto ndryshime në Komisionin e Ligjeve, ka ndryshuar qëndrim pas këtyre reagimeve, ndërsa kryeministri Rama, ashtu siç kishte deklaruar pas negociatave që u zhvilluan në rezidencën e ambasadores amerikane në fillim të Qershorit, deklaron se nuk do të zhvillohen më bisedime në zyra të huajsh. 

Klan Plus