Presidenca ka reaguar menjëherë pas vendimit të Kuvendit që miratoi Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Përmes një deklarate të zëdhënësit Tedi Blushi tha se Institucioni i Kreut të Shtetit nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari të Kuvendit.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta shpreh keqardhjen e thellë, që Kuvendi njëpartiak e refuzoi mundësinë që ju dha prej Tij për t’u kthyer në shinat e Kushtetutës dhe të Ligjit. Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si  dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik. Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton  vëmendje dhe është nul”.

Blushi garantoi gjithë qytetarët që Meta do të ushtrojë detyrën deri në përfundim të mandatit të tij, ndërsa theksoi se kreu i shtetit është i qartë në planin e tij se çfarë do të ndodhë në vijim.

“Askush nuk mund të fshihet dot, as pas “etikës” dhe as pas “retorikës”, sepse kjo është një çështje SOVRANITETI. Presidenti Meta e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe është shumë i qartë në planin e Tij për atë që do të ndodhë në vijim. Garantojmë të gjithë qytetarët, se në respekt të betimit të tij me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Presidenti Meta do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë, sikundër ka vepruar derimë tani, të gjitha funksionet e Tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj intimidimi të Institucionit të Presidentit nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare”./tvklan.al