Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Opozita parlamentare paraqiti sot zyrtarisht në tryezën e komisionit parlamentar të ligjeve amandamentet për ndryshimin e disa neneve të projektkodit të ri elektoral. Duke interpretuar Kushtetutën propozohet ndryshimi i nenit për pëberjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Sipas opozitarëve Presidenti përpara emërimit të dy anëtarëve të këtij komisioni përzgjedh kandidatët e paraqitur nga pozita dhe opozita në lista të veçanta.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë sipas demokratëve zgjedh me votim të fshehtë tre anëtare të komisionit qëndror të zgjedhjeve. Përsa i përket mbledhjeve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve propozohet që këto mbledhje të thirren bashkarisht nga kryetari dhe nënkryetari i këtij komisioni ose me kërkesën e të paktën 3 anëtarëve të këtij komisioni.

Demokratët kërkojnë status të njëjtë juridik të nënkryetarit me kryetarin e komisionit zgjedhor. Përsa i përket komisioneve zgjedhore zonale opozita propozon që ato të përbëhen nga 9 anëtarë dhe vendimet të merren me shumicë votash. Për propagandën elektorale propozohen 15 minuta në Televizionin Shteteror dhe 15 minuta në Radion Shtetërore.

Partitë që nuk fitojnë më shumë se 2.5 përqind të votave duhet të kthejnë paratë e marra nga shteti të cilat i shpërndahen partive me më shumë se 2.5 përqind të votave në përputhje me përqindjet e votave të fituara. Socialistët kërkuan kohë deri nesër paradite për studimin e propozimeve të opozitës për projekt kodin e ri elektoral. Në komisionin parlamentar të ligjeve deri tani janë shqyrtuar 47 nene të këtij projekt-kodi. /tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame