Teksa Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta vijon mbledhjen, nga Presidenca ka ardhur reagimi përmes zëdhënësit Tedi Blushi.

Komisionin Hetimor për Metën, zëdhënësi i Presidencës e konsideron antikushtetues dhe thotë se tentohet që të hiqet vëmendja nga krimet zgjedhore të 25 Prillit.

Ndërkohë që Presidenca siguron se Ilir Meta do të qëndrojë në zyrë deri më 24 Korrik 2022 kur i përfundon dhe mandati.

“Asnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak, që tenton me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 Prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre, të angazhuar në këtë farsë kundër të vetmit institucion, që respekton dhe mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe sovranitetin e saj.

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e Tij deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar”, ka shkruar në Facebook zëdhënësi i Presidencës. /tvklan.al