Republikanët në Senat kanë bllokuar krijimin e një komisioni të posaçëm për sulmin vdekjeprurës më 6 Janar në Kapitol teksa po certifikohej Joe Biden si President i SHBA-ve.

Ashtu siç pritej, republikanët përdorën një taktikë e cila pengoi miratimin e projekt-ligjit për krijimin e komisionit për të hetuar sulmin. Ishte hera e parë që taktika proceduriale u përdor me sukses gjatë administratës së Presidentit Biden për të ndalur avancimin e një akti legjislativ në Senat.

Kreu i shumicës së Senatit, Chuck Schumer, dënoi kolegët republikanë për bllokimin e komisionit. “Turp për partinë Republikane për përpjekjen për të fshirë tmerret e asaj dite sepse ata kanë frikë nga Donald Trump“, tha Schumer në një fjalim në senat menjëherë pas votimit.

Me 54 vota kundër dhe 35 pro, masa nuk arriti të sigurojë 60 votat e nevojshme për miratim. Nuk pritej që senatorët republikanë të votonin pro masës, pasi shumë prej tyre mbeten besnikë ndaj ish-Presidentit Trump dhe ishin gjithashtu nën presionin e udhëheqësit të republikanëve në këtë Dhomë, Mitch Mçonnell, i cili ishte shprehur kundër ngritjes së komisionit.

Ky ishte sulmi më i keq në Kapitol në 200 vjet dhe ndërpreu certifikimin e fitores së Joe Biden. Më 6 Janar, mijëra përkrahës të Trump të mbledhur në Uashington në një protestë kundër rezultateve të zgjedhjeve, sulmuan me dhunë ndërtesën duke lënë të vdekur pesë persona, përfshirë një polic të Kapitolit.

Klan News